LSE / Lajmet
LSE në takim me Ministrin Hajrulla Çeku: Në fokus kërkesat dhe e ardhmja e studentëve të UHZ-së
Studentët e Universitetit “Haxhi Zeka”, së bashku me përfaqësuesit e Lëvizjes Studentore për Emancipim – LSE, zhvilluan një takim me Ministrin e Arsimit, Hajrulla Çeku, Zëvendësministrin Taulant Kelmendi dhe Armend Balokun. Në takim u diskutuan sfidat dhe kërkesat e studentëve, përmirësimi i kushteve të studimit, mbështetja e projekteve rinore, digjitalizimi, aktivitetet akademike dhe nevojat konkrete të Universitetit “Haxhi Zeka”.
Studentët e Universitetit “Haxhi Zeka”, së bashku me anëtarët e Lëvizjes Studentore për Emancipim – LSE dhe kryetarin e saj, Elton Ramqaj, zhvilluan një takim të rëndësishëm me Ministrin e Arsimit, Hajrulla Çeku, Zëvendësministrin e Arsimit, Taulant Kelmendi, si dhe Armend Balokun.
Takimi shërbeu si një mundësi për të paraqitur drejtpërdrejt çështjet, sfidat dhe pritshmëritë që studentët e Universitetit “Haxhi Zeka” kanë ndaj institucioneve përgjegjëse për arsimin e lartë në Kosovë.
Gjatë diskutimit, fokus i veçantë iu kushtua përmirësimit të kushteve për studentët, krijimit të mundësive të reja për zhvillim akademik dhe profesional, mbështetjes së projekteve rinore dhe studentore, digjitalizimit të shërbimeve universitare, organizimit të aktiviteteve akademike dhe fuqizimit të përfaqësimit studentor.
Gjithashtu, u diskutuan nevojat konkrete të Universitetit “Haxhi Zeka” dhe rëndësia që institucionet qendrore t’i kushtojnë vëmendje të vazhdueshme zhvillimit të universiteteve publike dhe krijimit të kushteve më të mira për studentët.
Në fjalën e tij, kryetari i LSE-së, Elton Ramqaj, prezantoi çështje dhe kërkesa që burojnë nga komunikimi i drejtpërdrejtë me studentët, duke theksuar rëndësinë që problematikat studentore të mos mbeten vetëm pjesë e diskutimeve, por të trajtohen përmes zgjidhjeve dhe veprimeve konkrete.
Për LSE-në, komunikimi i drejtpërdrejtë me institucionet mbetet një prej mënyrave kryesore për adresimin e nevojave të studentëve dhe krijimin e mundësive të reja për Universitetin “Haxhi Zeka”.
Takimi gjithashtu krijoi hapësirë për diskutimin e projekteve dhe iniciativave të ardhshme, me synim rritjen e bashkëpunimit ndërmjet studentëve, organizatave studentore dhe institucioneve publike.
Lëvizja Studentore për Emancipim do të vazhdojë të paraqesë kërkesat e studentëve në çdo nivel institucional ku ekziston mundësia për të krijuar ndryshim dhe rezultate konkrete.
Zëri i studentëve duhet të dëgjohet aty ku merren vendimet që ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e tyre.



